citybooks Shkup
Goce Smilevski & Marija Sarevska-Todorovska
MARIJA: Harta imagjinare e qytetit është në ndryshim të vazhdueshëm, varet nga gatishmëritë tona shpirtërore, nga shijet që na plotësojnë ndjenjat, nga njerëzit me të cilët e vizatojmë. Kështu qyteti asnjëherë nuk është i njëjtë dhe asnjëherë nuk përfundon në atë vend ku fillon.
GOCE: Harta imagjinare e Unit tonë është në marrëdhënie të ndërsjellë me qytetin. Uni ynë varet nga gatishmëritë e hapësirës, nga shijet e rrugëve dhe të ndërtesave, nga njerëzit të cilët e përvijojnë qytetin, pa marrë parasysh a i njohim ose jo. Kështu njeriu asnjëherë nuk është një, i njëjti, në dy qytete të ndryshme. Por edhe qyteti në të cilin krijesa njerëzore e fillon dhe e përfundon jetën, madje kur ai qytet e ka emrin e njëjtë, është një qytet tjetër – po aq i ndryshëm sa janë të ndryshme foshnja e porsalindur dhe njeriu i i cili është pranë frymës së tij të fundit, e kanë të njëjtin emër. Arsyeja është se njeriu dhe qyteti janë krijesa në proces të vazhdueshëm të ndryshimit.
MARIJA: Ndërkaq njeriu është i prirur ta ndryshojë botën, sikur të ketë frikë më së shumti nga ndryshimi në vetvete. Befasohet kur e kupton se nuk është ai i njëjti prej para dhjetë vjetësh dhe se nuk mundet me sytë e njëjtë të shihet vetvetja në botën e cila ndërkohë i ka ndryshuar kahet e vlerave të lëvizjes. Mosnjohja e vetvetes në hapësirën në të cilën është mësuar të jetë është si mosnjohja e vetvetes në shtatin e vet. Edhe qyteti frenetikisht ndryshon, befasohet me veten dhe mësohet t’i pranojë ndryshimet, pa i rrënuar shprehitë e moçme të atyre që bëhen banorë të tij. Rritet dhe e kalon veten. Çdo shitore e vogël më qosh, ose një shtëpi e moçme e rrënuar e zëvendësuar me një rrokaqiell, e ndryshon strukturën e tij. Kot ecim nëpër shtigjet e njëjta që i dimë, nuk është më ai vend ai vend i njëjtë për shkak se as ne nuk jemi ata të njëjtët. Kështu qyteti piqet së bashku me zbulimin tonë të hapësirë brenda dhe jashtë nesh. Dhe, atëherë përsëri i zbulojmë vlerat e moçme të pandryshuara, por tash të zhvendosura në një rrethim tjetër ku e njohim veten pa e ditur atë. Por çfarë ndodh kur qyteti e humb fytyrën e tij? A është më lehtë të jetohet me veten në një qytet i cili s’e ka fytyrën e vet.
GOCE: Nuk e di a e ka humbur Shkupi fytyrën e vet njohëse ose e ndryshon pamjen e vet e cila është e papranueshme për mua. Kur afërsinë me qytetin do ta kishim vendosur në një marrëdhënie me faktin si duket qyteti ekskluzivisht, unë do të isha ndjerë i huaj këtu. Për fat të mirë Shkupi nuk paraqet vetëm ato ndryshime të cilat i përjetoi (i mbijetoi?) njëzet vjetët e kaluar, të materializuar në beton, xham, bronz dhe mermer, Shkupi për mua paraqet para së gjithash njerëzit që i kam të afërt, ata me të cilët i ndaj – gëzimin e pikëllimin tim dhe të tyrin.
MARIJA: Më së shpeshti më vjen ta urrej veten që e urrej qytetin tim, kështu që në rastet e tilla i largohem. Ndonjëherë qytetin e kam më të afërt kur e shikoj nga dritarja ime e nënpullazit. Në kornizën e kufizuar shihet peizazhi i cili arrin deri te Kryqi dhe te retë mbi të. Atëherë qyteti është atje ku më së pakti ekziston. Rritet në një metaforë të lirisë, të asaj që nuk mundet të përfshihet në ndërtesa e rrethime, beton, asfalt. Dhe atëherë format e tij të forta zëvendësohen me shkumën e butë të zgjatshme prej të cilës janë bërë ëndrrat.
GOCE: Me atë imazh aq magjik, e njëherësh aq real me të cilin e shpreh kapërcimin në atë se si i vëzhgojmë pjesët e qytetit kur ai në vete e bashkon atë që është, ta themi kushtimisht, e përbashkët dhe atë që është më personale, me atë që e quan kapërcim të formave të forta të qytetit në shkumë të butë, të zgjatshme prej të cilës janë bërë ëndrrat, ti i ke gjetur fjalët për atë ndryshim alkimik të percepcionit të qytetit, fjalë të cilat gjatë kohë i kam kërkuar dhe ja ti tash i zbulon. Ndonjëherë ndonjë fjalë, shikim, prekje, nga ndonjë njeri i afërt, i shprehur pranë në objekti ose hapësire që e kemi plotësisht të huaj, bën që kjo hapësirë, ky objekt, të bëhen “tonët”, për shkak se mbi atë huajsi pikon zëri i dashur, thuajse ai objekt, ajo hapësirë, amshueshëm t’i prekë ndonjë dorë e dashur e dikujt, thuajse ky objekt, kjo hapësirë të reflektohet në sytë që i kemi të dashur. Dhe, nëse jeta ka bërë që të ndahemi nga ai zë, nga ato duar, nga ata sy, kur malli brenda nesh na ndjek kah afërsia e sërishme me ta, ndërsa midis nesh e atyre kanë dalë pengesa të pakapërcyeshme, shkojmë në vendet të cilat në fillim i kemi pasur si të huaja dhe atje e gjejmë praninë e njerëzve të cilët janë bërë mungesë në jetën tonë.
MARIJA: Ah, ai organizëm i pazbutshëm i gjallë prej tullash e betoni, sa di ndonjëherë të të ngrijë ose të të djegë, ose në rastin më të keq gjakftohtësisht ngjitet për ty duke mos të të lënë të marrësh frymë. Kjo ndodh veçmas kur harrojmë nga pak se shtati i qytetit është në metamorfozë të vazhdueshme, duke i marrë mbi vete edhe transformimet tona të brendshme. Për dallim prej nesh, qyteti asnjëherë nuk fal dhe thuajse asnjëherë nuk harron. Madje edhe emri i tij ndryshon sipas kujtesës me të cilën përgjithmonë e kemi ndërruar ndonjë mur, ndonjë stacion autobusësh ose ndonjë ulëse në park. Në të vërtetë, gjëja më e qëndrueshme në kujtesën e njeriut është prania e mungesës. Ndoshta së andejmi vjen edhe synimi i amshueshëm për pamjen e qytetit të dikurshëm në të cilin ndoshta asnjëherë nuk kemi jetuar, por me të cilët ka qenë i lidhur fati i ndonjë njeriut tonë të afërm. Mungesa është aq e fuqishme sa madje fillojmë të krijojmë kujtime të reja, të cilat pastaj materializohen nga vula e padukshme e kujtesës, e kështu mund ta shohim vetveten si qëndrojmë pranë gjysheve tona, të veshura me tesha festive dhe e shikojmë shfaqjen tonë të parë teatrore në Teatrin pranë Vardarit. Të (për)jetohet qyteti ,e sytë e Tjetrit do të thotë të fitohet mundësia për një jetë tjetër. Megjithatë, materiali nga i cili jemi bërë sikur më shumë të njëzohet me teksturën e qyteteve imagjinare në të cilat bartet në formë imazhi malli ynë për gjurmim pa një vendpushimi?
GOCE: Në njëzet vjetët e fundit qyteti pëson aq ndryshime të mëdha, saqë, pa dyndim edhe qytetet tona imagjinare janë rrënuar nga e gjithë ajo që si e re mbin këtu dhe aty. Siç është rrënuar edhe përditshmëria ime – dy rrugët nëpër të cilat mund të arrihet te ndërtesa në të cilën jetoj gjithmonë janë të bllokuara, për shkak se ndonjërën nga shtëpitë e rrëzojnë, ne vendin e ndonjërës të cilën sapo e kanë rrëzuar e ndërtojnë një të re, ndonjë ndërtesë e zgjerojnë dhe e shtojnë mbi të një ose dy kat. Në vendet ku kanë qëndruar shtëpizat e dikurshme, tash bëhen ndërtesa të cilat zgjerohen jo vetëm ka ajo hapësirë e cila dikur ka qenë oborr, por e marrin edhe një pjesë të trotuarit. Atëherë e kërkoj qytetin atje ku është konstanta më e ndryshueshme, në kishat dhe xhamitë (ato të vjetrat që ekzistojnë me shekuj, jo ato të ashtuquajturat “kompozime të reja”), në ato pjesë të çarshisë të cilat mbetën të paprekura nga dëshira për ndryshime dhe ndërrime, ndonëse edhe atje shoh aty-këtu ndonjë “inovacion” i cili e dëmton pamjen e vjetër. Nuk mund ta kuptoj se dikujt i ka shkuar ndërmend t’i qesë kupolë ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, ndërtesë e cila është një vepër e veçantë e modernizmit dhe kështu do të shndërrohet në një objekt të njëfarë kiç-postmodernizmi. Shpresoj se ideja për ndryshimin e këtillë nuk do të realizohet. Më pengon edhe ajo që para nja dhjetë vjetësh u bënë disa ndryshime të fasadës së pjesës së poshtme të anës perëndimore të Stacionit të vjetër hekurudhor. Këtë punë mund ta bëjë dikush i cili nuk ka ndjenjë për arkitekturë dhe për histori, për shkak se ajo ndërtesë të gjithë e lidhim me tërmetin e vitit 1963.
MARIJA: Ndërtimi ndoshta është vula më e qëndrueshme që një qytetërim mund ta lërë si gjurmë për ekzistencën e vet. Por si duket disa kësaj vule i duket fundi. Ashtu si shoqëria që nuk del nga tranzicioni i gjatë dhe i dhembshëm, ashtu edhe ndërtimi kalon në një proces të paskajshëm të synimit për rrumbullakim për të cilin si duket ende nuk jemi të gatshëm. Planet ndryshojnë midis ndërtimit të filluar ose disa rrugë pasi të përfundojnë pastaj sërish përmirësohen. Kur e shohim sesi kudo rreth nesh ndërtohet, për një moment mundemi ta ndjejmë energjinë eksplozive të krijimit, të fillimeve, por nga ana tjetër nuk mund ta kapim kuptimin e tërë monumentalitetit. Kalojmë nëpër sheshin e qytetit ku figurat më të rëndësishme të historisë maqedonase janë mbledhur në një vend si në një tabelë shahu mbi të cilën epokat pa mëshirë i qërojnë hesapet dhe e zhduken mes vetes dhe sikur jemi të zënë rob në ndonjë labirint të çuditshëm, në ndonjë konstelacion joreal të yjeve të cilat i kanë humbur yjësitë e veta dhe tash provojnë se ku do të kishin mundur që të zënë vend. Nuk e dimë me cilën kohë të lidhemi kur të gjithë ekzistojnë në të njëjtën kohë dhe janë vendosur në aty në të njëjtin vend, madje tash në shekullin 21. Ende janë të reja dhe disi të huaja që t’i pranojmë si përditshmëri jona, prandaj si ndaj çdo atraksioni të ri, u afrohemi me pasiguri dhe me rezerva. Kur për herë të parë e vizitova njërin nga qytetet evropiane, gjëja e parë që më ra ndërmend është si do të ishte që çdo ditë të kalosh pranë ngrehinave e përmendoreve madhështore, të cilave patina u jep peshë edhe më të madhe. Në naivitetin tim të fillestarit mendoja se duke kaluar çdo ditë nëpër këto rrugë të ngushta të ngjyera me histori, do të fitoja frymëzim të veçantë për punë krijuese. Kuptohet, koordinatat e peizazheve tona imagjinare janë ato të cilat e përvijojnë procesin krijues, por edhe rrethimi i jashtëm di që shpeshherë në simbiozë me imagjinatën tonë të krijojë klithma të veçanta gjuhësore. Ndoshta duhet të kalojë një kohë për këto ndërtime të reja në rrethimin tonë të drejtpërdrejtë në hapësirën qendrore të qytetit t’i përjetojmë si përditshmëri tonën, si gjëra të pandashme nga aktivitetet tona të përditshme, që t’i ndjejmë si pjesë të pandashme të historisë sonë personale. Thua më e sigurt është që qyteti të kërkohet atje ku është konstantë e pandryshueshme. Por nëse qyteti sipas përkufizimit ka lindur që t’u përgjigjet nevojave momentale, stilit të jetës dhe funksionimit të qytetarëve të vet, ku është atëherë bërthama urbane e Shkupit?
GOCE: Nuk e di a mund të quhet diçka në Shkup – bërthamë urbane. Një bërthamë e tillë, ose bërthama të tilla në këtë qytet, shumë herë janë nisur të bëhen, pastaj janë lënë, janë braktisur, janë lënë bjerrë dhe janë lënë shkret. Shkupi duket si një qytet i cili shpeshherë është nisur, por është e qartë se pak nga ajo që është nisur ka marrë një formë, jo përfundimtare dhe definitive (kur është hapësira në pyetje, nuk besoj në diçka që është dhënë njëherë e përgjithmonë), por formë përkufizuese. Ndoshta ato pjesë të qytetit të cilat, kur fillon të bëhet, na dukeshin si më të ndryshme nga ajo që dikur ka qenë kuptim për Shkupin – si lagjet Aerodrom ose Novo Lisiçe të cilat u bënë para pak më shumë se tri deceniesh dhe disa pjesë të Fushës së Tophanes dhe Radishani, ka më së shumti arsye që me to të lidhet kuptimi për urbanen. Në krijimin e këtyre vendbanimeve nuk shoh asgjë të dhunshme dhe të panatyrshme, si atëherë, në kohën e ndërtimit të tyre, për shkak se ato u bënë në “hapësirë të zbrazët”, kanë filluar “prej zeros” dhe prandaj me to nuk është bërë kurrfarë agresioni mbi diçka që ka qenë pjesë e qytetit para kësaj nisme dhe më duhet të them se përveç se e kanë këtë shenjë të urbanes, kanë edhe një dimension human – ata të cilët i kanë projektuar këto lagje, kanë menduar edhe për njerëzit të cilët do të jetojnë atje – ka parqe shumë të bukura dhe vende për lojë midis ndërtesave shumëkatëshe dhe shpresoj se kjo strukturë nuk do të prishet nga moda e re e Shkupit, e quajtur garazhe në kat, të cilat po lindin gjithandej. Nga ana tjetër, ajo që në dhjetë vjetët e fundit u ndodh atyre pjesëve të qytetit të cilat e kishin “shmekun” e Shkupit të vjetër, si Mëhalla e Dibrës, për shembull, ajo rrënim i shtëpive më të vjetra dhe më të bukura në Shkup dhe ndërtimi i ndërtesave shumëkatëshe në vendin e tyre, ky okupim i hapësirës pa shije, ky është agresion, sadizëm, krim i zbatuar e ashtuquajtura mafie urbanistike. Me vite është folur se prefektja e njërës nga komunat e Shkupit (pikërisht atje ku gjendet Mëhalla e Dibrës), jep leje për rrënimin e shtëpive dhe për ndërtimin e ndërtesave shumëkatëshe në vend të tyre, vetëm me kusht nëse në secilën syresh merr banesë për vete. Por asnjëherë nuk u ngrit procedurë penale lidhur me këtë çështje. Nga ana tjetër, u gëzohem gjërave të bukura të cilat i ndodhin Shkupit. Jam shumë i lumtur që përfundimisht përsëri, pas më shumë se dhjetë vjet u ngjall Çarshia. Bukur është që ka vende ku zhvillohet jeta e natës, por më vjen keq që ajo më intimja, më kultja, nuk u ngjall përsëri. Gjithsesi fjalën e kam për “Bagdad kafenë”. Ky ishte një vend ku u njoftova me shumë njerëz, një vend ku nisa shumë miqësi (atje filloi edhe miqësia jonë – edhe pse ishim kolegë në fakultet – por thjesht, në suazat e fakultetit miqësitë nuk do të kishin filluar po të mos kishte qenë ky vend). “Bagdad kafeja” ishte një vend i dashur për shumë studentë, piktorë, muzikantë, arkitektë, madje edhe për ndonjë të pastrehë. Ky ishte një vend idesh, bisedash, teorish dhe kuazi-teorish, një vend në të cilin me siguri janë lindur (ose janë zhvilluar) shumë vepra. “Bagdadin” e udhëhiqnin Sandra dhe e ëma Zorica, atje punonte Mila, dhe me to asokohe u bëra (dhe deri më sot mbeta) mik. Ndonjëherë u them se përsëri duhet të hapet “Bagdad kafeja”, por jeta disi u nis në një drejtim tjetër, Zorica, Sandra dhe Mila filluan punën në lëmenj të tjerë dhe e di se përtëritja nuk është e mundshme. Unë ende e mbaj në mend tërë “skenografinë” të atyre disa metrave katrore (plus ai pak vend në Bezisten, ku vendosnin edhe katër a pesë tryeza) ai vend i vogël me aq shumë energji, i quajtur “Bagdad kafe”. I mbaj në mend disa pjesë bisedash, disa njerëz, situata, ngjarje, momente të rënies në dashuri dhe të ndarjeve, mbaj në mend shumë gjëra për të cilat kam qenë dëshmitar atje. Mendoj se ato vende të reja në Çarshi janë o.k. dhe shpesh kthej atje, por “Bagdad kafe” ishte si një vatër e energjisë krijuese dhe këtë për mua nuk mund ta ketë asnjë vend tjetër në atë pjesë të qytetit, asnjë vend tjetër në këtë qytet. Më mungon “Bagdad kafe”-ja. Ja, nuk të kam pyetur deri më tash, a ke ndonjë “vend të tillë të nostalgjisë”, një vend që ka qenë, por që tash nuk është më në Shkup?
MARIJA: Të faleminderit që m’i kujtove fillimet e miqësisë sonë, pashkëputshëm lidhur me këtë “Kafe në Bagdadin imagjinar”, kjo kafene e energjisë krijuese, e cila thuajse avullohej nga avulli që përhapej nga secili gjym çaji i sjellë në tryezat e vogla të rrumbullakëta, të mbuluara me çarçafë me lule. Në mënyrë shumë të kristaltë e rrok domethënien e kësaj vatre konstitutive ku shumë njerëz të rinj e gjenin njëri-tjetrin në koordinatat e Bezistenit, në atë vend metafizik të takimeve dhe pjekave intelektuale nëpër udhëkryqet mentale. Me të vërtetë në suaza të fakultetit miqësitë nuk do të kishin filluar, po të mos kishte qenë ky vend. Kur dha shpirt “Bagdad kafeja”, dalëngadalë u shua edhe jeta e tërë Bezistenit. Kot së koti shkonim kur dëgjonim se atje përsëri është hapur diçka. Mungonte era e mirë e vjetër njohëse të energjisë lidhëse, thuajse asgjë kurrë të mos kishte ndodhur. Çarshia, përgjithësisht, është një vend ku ndjehem sikur eci nëpër shtegun nëpër të cilin kam kaluar çdo ditë në një jetë të shkuar dhe derisa përsëri kaloj andej diçka në mua këlthet, thuajse se disa kujtime të vjetra zgjohen në ndërdijen time. Për këtë arsye thuajse edhe unë gjithmonë do të isha ulur më me dëshirë në Çarshi, ndonëse atje tash pulson një energji tjetër. Mua në Shkup më mungon, për shembull, Antikuariati i moçëm i Kulturës, i cili gjendej pak para Shkollës së mesme të muzikës, ku qysh si nxënës të shkollës së mesme kthenim aty të gërmojmë ndonjë libër të vjetër për një çmim qesharak dhe me lakmi gëzoheshim se do t’i lexonim vjershat e rralla të Pol Valerisë ose do të gjejmë ndonjë ekzemplar të vjetër të Borhesit me kopertina të forta. Në këto bredhje të rastit takoheshim duke harruar hapësirë-kohën, duke lëvizur nëpër vijën e hollë të reales dhe ireales. Dhe, gjithsesi kafeneja e vogël “Medium”, kur gjendej në qendër të qytetit, prapa kinemasë “Kultura”. Në një periodë të huajsimeve të mbrëmjes nëpër qytet, madje as që pyeteshim se ku do të dalim në mbrëmje, për shkak se nënkuptohej se do të shkohej atje. Disi sikur ishte e hedhur jashtë në rrugë, ndërsa të ulur në oborrin tonë, pa pengesa bisedonim me dikë nga tryeza fqinje për shkak se njerëzit thuajse të gjithë njiheshin njëri me tjetrin dhe i takonin një qarku të afërt thithësish të një rryme më të relaksuar kulturore të qytetit. Ndonëse, më duket se kjo kafene e vogël kudo që të zhvendoset, siç është tash në Çarshi gjithmonë do ta ruajë energjinë e njëjtë të spontanitetit dhe të mosimponimit në të cilën është lehtë edhe të përsiatësh me urti dhe të kënaqesh me një zjarr të barabartë.
Sado që të duket paradoksal, por duket sikur Shkupin e takojmë gjithandej atje ku “më së paku” është i pranishëm. Kur duam t’ia tregojmë qytetin dikujt i cili duhet të njihet me të për herë të parë, i hapim portat kah vendet të cilat më së paku identifikohen me kuptimin urban, përkatësisht siç the mirë edhe ti më parë në vendet ku ai është një pandryshueshmëri konstante, siç është Kalaja, Çarshia, Pantelejmoni ose Vodnoja dhe ndoshta për këtë arsye është përjetësisht modern në një kuptim bodlerian. Bërthama urbane është vetëm një simbiozë midis të vjetrës dhe të resë, të dikurshmes dhe të sotmes, mitikes dhe futuristikes, një mundësi që të gjitha format e ekzistimit të qytetit të pranohen menjëherë dhe në të njëjtën kohë, duke krijuar një vlerë të re njohëse si fytyrat nga portretet imagjinative të Arçimboldos.
GOCE: I shikuar së largu, nga Vodnoja, për shembull, qyteti me të vërtetë mund të tregojë një ngjasi, sipas larushisë, shumështresmërisë dhe shumëformshmërisë së tij të cilat krijojnë një pamje të re, me portretet e Arçimboldos. Kështu është edhe me “sipërfaqet” (me vetë arkitekturën) e qytetit, por kështu është, do të ketë të ngjarë, edhe me njerëzit, me rrëfimet e tyre jetësore – ato janë personale, intime, ndërthuren me ato të të afërmve, por të gjitha së bashku, të gjitha këto rrëfime jetësore të atyre që jetojnë në këtë qytet, sigurisht krijojnë njëfarë figure dhe ndonjëherë ëndërroj të mund t’i shoh me një sy shpirtëror të gjitha këto fije fine, të holla të fateve të ndërthurura me këtë qytet. Ndërkaq ndonjëherë përpiqesha t’i zbuloj fijet e holla të cilat e lidhnin Shkupin me disa pika të tjera të rruzullit tokësor. Atëherë në Shkup kërkoja një qytet tjetër, disa qytete të tjera, dhe përpiqesha që në këto qytete ta zbuloj Shkupin... Përpiqesha ta dëgjoj në Shkup jehonën e Petrogradit nga romanet e Dostojevskit, ose kumbimet e Parisit dhe të Buenos Airesit nga vepra e Hulio Kortasarit dhe të Dublinit të “Ulisit” të Xhojsit; u përpoqa të zbuloj në Shkup situata të cilat ngjajnë me situatat e këtyre veprave, personazhe letrare të cilat do të kishin mundur të jetojnë edhe në Shkup, ose ndonjë rrëfim jetësor të ndonjërit nga banorët e këtushëm të më ngjante se mund të thuret në ndonjë vepër të autorëve të cilët i dua më së shumti, por që asnjëherë nuk kanë shkelur këtu. Vitet që kalojnë e largojnë njeriun nga shumë shprehi, kështu që njëra nga ato prej të cilës më larguan ishte edhe ajo lojë, të cilën ndonjëherë e doja aq shumë. Në atë kohë, para dhjetë e më shumë vjetësh, ndonjëherë më ndodhte në Shkup ta shoh ndonjë persona të panjohur dhe të mendoj: sigurisht kështu është dukur Orasio Oliveira, ose: po, kjo është fytyra e Sonja Marmeladovës ose e Ahmet Nurudinit ose e Leone Glembaj ose e Falstafit... Ose, ndonjë mur, zëri i dikujt, ngjyra e qiellit, aromat e Shkupit, të ma kujtojnë ndonjë vepër letrare të shkruar larg nga këtu, në ndonjë varg ose replikë drame. Më herët kjo më ndodhte aq shpesh, por ka vite që “çuditë” e tilla nuk ekzistojnë – nuk e di a është shkaku te unë ose ta kërkoj te qyteti ose unë e qyteti aq shumë kemi ndryshuar sa që nuk mund të na ndodhë më ky lloj “çudie” – çudi në kuptimin e asaj që kërkojmë te ylberi, për shembull. Tash, ndërkaq, do të kisha dashur të lexoj vëllime të tëra librash të shkruara nga autorë maqedonas në vitet ‘60 dhe ‘70 të shekullit të kaluar, disa prej të cilave i lash pas dore pa të drejtë si lexues (kurse ato që nuk i kam lënë pas dore dhe tashmë i kam lexuar – t’i lexoj përsëri me një sy tjetër), ta kërkoj në veprat e tyre atë Shkup i cili më nuk ekziston. E ndjej se duhet ta kërkoj atë Shkup në pëlhurat e piktorëve tonë, në ata disa filma bardh e zi të cilët janë me tematikë urbane, është koha të shkoj në ndonjërën nga bibliotekat dhe ta shfletoj ndonjë numër të vjetër të gazetave ditore... Dhe, atje është ruajtur qyteti. Ndonjëherë, ai qytet mund të zbulohet edhe në ndonjërën nga këngët e dashura të kohës. Verës, kur Goran Stefanovski kishte ardhur nga Anglia, duke e kërkuar atë Shkupin tjetër, na u kujtua një këngë, të cilën nuk e dinim kush i kishte shkruar vargjet dhe muzikën, por me zemër e kënduam në duet: “Flej, o Shkup, flej, flej, qyteti im, / ditën që po kalon, dita që vjen do të jetë jotja”. Do të kisha dashur të besoj se porosia e këtyre vargjeve është e vërteta.
MARIA: “Çuditë” është e pamundshme të treten. Kur nuk ekzistojnë gjatë kohë, si ai mister më i frustruar për krijuesit i quajtur krizëkrijuese, ndjenja themelore dominuese është paniku. Tek ata që janë emocionalisht më të ndjeshëm, paniku ngadalë kalon në rezignacion. Dhe, pikërisht në ato çaste të pashgdaljes së skajshme e gjejmë veten në ndonjërin nga mendimet që dikush i thotë rastësisht i cili e përmban thelbin e pikëpamjes sonë momentale për botën të cilin kurrsesi nuk ia dalin ta shndërrojmë në fjalë e ta nxjerrim prej vetes, ose gabimisht, duke kërkuar diçka të tretë, do të ishim humbur duke bredhur sokakut ku kemi jetuar si fëmijë ose ku na kanë çuar gjyshet tona në farefisni, në vendbanime ose vise të qytetit të cilat edhe sot i kemi të panjohura, por që në të vërtetë i kemi pasur të afërta në njëfarë mënyre të veçantë. Tregimi midis nesh e qytetit nuk mund të soset kurrë. Ndoshta në të njëjtën kohë jemi lodhur, prandaj na duket se jemi tëhuajsuar, se nuk i takojmë më njëri-tjetrit. Dhe, ndoshta edhe ti edhe qyteti jeni në udhë njëri drejt tjetrit, vetëm e kërkoni njëri-tjetrin nëpër sokakët anësorë të cilët e vështirësojnë trajektoren, për shkak se ti tashmë e ke zgjedhur, ndoshta, mënyrën më të mirë të arrish në qytet, ndërsa kjo punë bëhet përmes formave të ndryshme të artit të krijuara në kohën kur qyteti më së shumti ka qenë i vetvetes. Jo të na djegë malli pas kohërave të ngrira në një të kaluar, por të mësohet si të ndjehet i afërt dhe i ri tash e këtu, që të marrim pjesë së bashku në tregimin e njëjtë.
Translated from Macedonian by Lindinta Ahmeti
Lindita Ahmeti (1973, Prizren, Kosovë). Poeteshë. Ka studiuar filologjinë klasike në Fakultetin filozofik të Universitetit Shën Kirili e Metodi në Shkup. Vjershat e saj janë botuar në faqet e revistave letrare në gjuhën shqipe në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë. Është përfaqësuar në shumë antologji në gjuhën shqipe, maqedonase, në gjuhët ballkanike dhe në disa vende në Evropë. Në gjuhën shqipe ka botuar pesë përmbledhje. Prej tyre katër janë përkthyer në gjuhën maqedonase, e një në bullgarisht.
Në vitin 1993 e mori çmimin për librin më të mirë të botuar në gjuhën shqipe në Maqedoni për përmbledhjen “Mjedra dhe bluz”.
Është fituese e çmimit Qiriu i Naimit për vjershën më të mirë, të cilin e ndan Festivali poetik Ditët e Naimit në Tetovë.





